Leja e re e qarkullimit: Do të kushtojë 40% më pak dhe pa afat vlefshmërie…

Së shpejti për drejtuesit e automjeteve do të aplikohet leja e re e qarkullimit, e cila do të kushtojë më lirë dhe nuk do të ketë afat vlefshmërie.

Lajmi u bë i ditur nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor përmes një postimi në faqen zyrtare të Facebook.

Në njoftim thuhet se leja e re e qarkullimit të automjeteve do t’i kushtojë qytetarëve shqiptarë 2 100 lekë, nga 3 500 lekë që është leja aktuale.

Leja e re eliminon certifikatën e pronësisë së mjetit e lejen ndërkombëtare dhe unifikon të dhënat në një dokument të vetëm.

Leja e qarkullimit të mjeteve rrugore nuk do ketë vula kolaudimi, përmban elementët e sigurisë dhe nuk griset si leja aktuale.

Në njoftim thuhet se cilësia dhe vetitë e letrës së lejes së re janë të njëjta me dokumentet e qarkullimit gjermane dhe zvogëlojnë mundësinë e manipulimit të të dhënave të mjetit.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor njofton të gjithë drejtuesit e automjeteve se leja e re nuk do të jetë e detyrueshme për qytetarët që kanë lejen aktuale të mjetit.