Prapaskenat te Vllaznia: “Me urdhër të kryetares dilni në stërvitje”…

“Me urdhër të kryetares duhet të paraqiteni në stërvitje në orën 17:00”.

Është ky mesazhi që ka ardhur dje në telefonin e secilit futbollist. Mirëpo, pas bojkotit në seancën e së enjtes, lojtarët e Vllaznisë kanë bërë të njëjtën gjë edhe dje.

“Panorama Sport” ndoqi nga afër zhvillimet te shkodranët dhe në fushën sportive të fshatit Golem, aty ku skuadra nisi stërvitjen të hënën, nuk u paraqit ditën e djeshme asnjë futbollist.

Një situatë vërtetë e trishtueshme, teksa pjesëtarët e stafit teknik, zv.trajneri Safet Osja dhe trajneri i portierëve, Ideal Lekiqi, pritën më kot nëse ndonjë nga lojtarët do të vinte në terrenin stërvitor. Kapiteni Gilman Lika deklaroi se derisa të marrin zgjidhje kërkesat e futbollistëve për rrogat e pamarra, kontratat, akomodimin etj., skuadra nuk do të paraqitet në stërvitje.

Lojtarët duken më të bashkuar se kurrë dhe as paralajmërimet apo presionet për masa penalizuese nuk u kanë bërë përshtypje. Jonuz zbatoi karantinën, duke mos u shfaqur në kompleksin stërvitor, ndërsa Osja dhe Lekiqi, pasi pritën për 20 minuta dhe konsuamuan nga një cigare, lanë fushën të zhgënjyer në këtë situatë të paprecedentë.

TAKIMI – Në paraditen e djeshme administratori Suad Lici dhe trajneri Mirsad Jonuz kanë bërë një takim kokë më kokë me kryebashkiaken Voltana Ademi. Natyrisht është diskutuar për zgjidhjen e problemit, por gazeta mëson se numri një i bashkisë ka qenë kundër faktit që futbollistët në këtë moment nuk kanë pranuar të stërviten.

Duke qenë se çdo gjë është në dorë të Këshillit Bashkiak, drejtuesit e klubit kanë urdhëruar trajnerin Jonuz dhe pjesëtarët e stafit të paraqiten në stërvitje në orën 17:00 për të parë se cili nga lojtarët do të vinte. Gjithsesi, asnjë futbollist nuk pranoi të stërvitej dhe kësisoj pas këtij refuzimi, klubi do të përgatisë gjoba ose masa drastike.

TRAJNERI – Mirsad Jonuz ka vendosur të presë klubin deri më 31 maj, kur edhe i skadon kontrata. Gazeta zbulon se në rast se deri në këtë datë nuk përmirësohet situata, atëherë maqedonasi do t’i japë duart klubit. Që dje drejtuesit e klubit kanë urdhëruar trajnerin e U19, Luan Zmijani, që të jetë i gatshëm për çdo situatë, pasi vetë Lici ka paralajmëruar se do të vazhdohet kampionati me të rinjtë.

SHTËPITË – Lojtarët e huaj dhe ata nga rrethet e tjera të Shqipërisë që luajnë te Vllaznia kanë edhe një javë kohë të qëndrojnë në banesat e tyre që janë marrë me qira në qytetin e Shkodrës. Mësohet se ata janë lajmëruar së fundmi nga pronarët e banesave, se duhet të lirojnë shtëpitë pas një jave. Një situatë e paprecedentë, pasi futbollistëve u është hequr edhe ushqimi, ndërsa janë kërcënuar disa herë me ndërprerje të dritave në banesa, pasi u bënë muaj të tërë që nuk paguhen.