Qeveria miraton amendimin për “Zhurmat në Mjedis”. Kumbaro: Bashkitë do hartëzojnë territorin, Policia kontrolle të rrepta

Qeveria ka miratuar këtë të enjte (13 prill) amendimin për Ligjin e Zhurmave në Mjedis. Lajmi është bërë me dije nga Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro e cila ka sqaruar se ky vendim, do i japë zgjidhje përfundimtare një problematike të akumuluar ndër vite.

Pas miratimit në Parlament të këtij amendimi në javët në vijim, Kumbaro u shpreh se do të ketë kontrolle të rrepta, fasha orare më të kontrolluara dhe kompetenca të zgjeruara të Policisë së Shtetit me mjete të certifikuara, akredituara dhe standarteve të OBSH. Kumbaro sqaroi se bashkitë do të hartëzojnë territorin ku do të përcaktojnë zonat e banuara, zonat e qeta, dhe zonat larg banimeve ku lejohen aktivitetet me muzikë.

“Miratuam amendimin për ligjin e zhurmave në mjedis. Punë 10 vjeçare dhe rezultat i vëzhgimit të sezonit të kaluar turistik. Një nga shqetësimet e mëdha të bizneseve, operatorëve dhe pushuesve, ishte ndotja akustike në nivele të larta për shkak të muzikës së shpërndarë në lokale, bare hotele.

I dhamë zgjidhje një problemi të akumuluar ndër vitesh, duke bërë amerndimin në ligjin për zhurmat dhe duke filluar nga ky sezon me miratimin e ligjit në parlament, shpresojmë në javët në vijim, do kemi një kontroll të rreptë të ligjit, do kemi fasha orare më të kontrolluara dhe një kompetencë të zgjeruar të Policisë së Shtetit sa ai përket kontrollit me mjete të certifiikauar dhe standarteve të OBSH, për të kontrolluar ndotjen akustike, për të kontrolluar oraret, por dhe me një detyrë të shtuar për bashitë, që me hyrjen në fuqi të këtij ligji, kanë të drejtë të përcaktojnë hartën e zhurmave, ose hartëzimin e territorit për të përcaktuar zonat e banuara, zonat e qeta, zonat larg banesave apo hoteleve familjare ku mund të zhvillohen aktivitetet me muzikë me liri nga banorët”, tha Kumbaro.

Ministrja bëri më dije më tej se me ligjin e ri, do të ketë një ndarje të kompetencave mes policisë bashkiake. Sipas Kumbaros, në përputhje me hartëzimin e bërë nga Bashkia, Policia e Shtetit do të marrë kompetencat për të matur, monitoruar, kontrolluar apo penalizuar aktivitetet ekonomike që nuk i respektojnë këto norma.

“Do ketë një ndarje të qartë të kompetencave mes policisë bashkiake, që do kontrollojë por tashme do pajiset me mjete certifikuese të akredituara dhe për llojet e tjera të zhurmave në territore të ndryshme të bashkive. Për ti dhënë fund atij topit që hidhej, sa te bashkia, policia, shëndetësia. Tashmë institucionet i kanë rolet e qarta.

Kontrollet do të bëhen me mjete të certifikuara dhe akredituara

Fashat orare për sezonin e verës për aktivitetet muzikore të përditshme do jenë nga ora 12 e drekës deri në orën 12 të natës”, përfundoi Kumbaro.