Vllaznia i rikthehet stërvitjes, futbollistët testohen për koronavirusin

Ekipi i Vllaznisë i është rikthyer stërvitjes dhe sot kanë kryer seancën e parë stërvitje. Dy pjesëtarët e stafit mjekësor, Ilirjan Haxhaja dhe Redis Mesi, kanë testuar të gjithë futbollistët e Vllaznisë për koronavirus, si dhe janë dezinfektuar të gjitha ambientet e fushës dhe dhomat e zhveshjes.

Njoftimi i Vllaznisë:

“Ekipi i Vllaznisë, i është rikthyer pasditen e sotme procesit stërvitor duke nisur kësisoj përgatitjet për ndeshjen e së shtunës me Flamurtarin. Por përpara fillimit të saj, në kuadrin edhe të Protokollit të shpërndarë nga Federata Shqiptare e Futbollit për të gjithë klubet e futbollit në lidhje me masat që ata duhet të marrin për procesin stërvitor për të bërë të mundur parandalimin dhe përhapjen e virusit COVID-19, është bërë një plan pune që është ndjekur nga pjesëtarët e stafit mjekësor, Ilirjan Haxhaja dhe Redis Mesi.

Ata kanë zbatuar të gjithë masat që duhen ndërmarrë për një rast të tillë duke filluar që nga dezinfektimi i dhomave të zhveshjes dhe ambienteve të tjera të fushës ku ekipi ka zhvilluar stërvitjen. Po ashtu, është bërë edhe vendosja e dezinfektuesve të duarve në të gjithë këto mjedise ndërkohë që stafi është pajisur me maskat dhe dorezat e duhura.

Pjesëtarët e stafit mjekësor u kanë shpjeguar lojtarëve dhe stafit teknik edhe njëherë tjetër masat që duhen ndërmarrë gjatë kësaj periudhe, historinë e këtij virusi dhe po ashtu i kanë udhëzuar se çfarë duhet të bëjnë për mbrojtjen prej tij. Më pas, është vijuar me matjen e temperaturës për të gjithë pjesëtarët e skuadrës teksa të gjithë kanë rezultuar me temperaturë normale- 36 gradë.

Ndërkohë duke filluar që sonte dhe për të vazhduar nesër në orën 10.00, të gjithë pjesëtarët e ekipit do të jenë sërish në qendrën e rehabilitimit të klubit për të marrë matjen e temperaturës me kamerë termike dhe po ashtu edhe testin e frymëmarrjes.

Në këtë mënyrë, do të veprohet edhe me të gjithë ekipet e tjera të cilët vërtetë është shumë e rëndësishme që të mos privohen nga procesi stërvitor, por duhet të bëjnë maksimumin e kujdesit për evitimin e këtij virusi. Pas gjithë këtij procesi, ekipi ka vijuar normalisht stërvitjen dhe gjithçka ka shkuar ashtu si duhet”.

http://vllaznia.al/lajme/vllaznia-i-rikthehet-stervitjes-merren-masat-per-zbatimin-e-protokollit-te-fshf-se/?fbclid=IwAR1iRLQjcpTOXEEZ86skSWWR2aZGbr5vxNx4FzM8SKh5qf09Bd69d9sHbAI