Myftinia Shkodër njoftim të rëndësishë për besimtarët…

Myftinia Shkodër, 12 mars 2020

NJOFTIM

Të dashur dhe të nderuar besimtarë dhe bashkëqytetarë!

Në kushtet e reja të fenomenit të virusit COVID-19, i përhapur gjithandej nëpër botë, si një pandemi e zyrtarizuar edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Në kushtet e një realiteti të ri, me të cilin po përballemi të detyruar ditë pas dite, në batakun e neglizhencës së hutuar të atyre, që e kishin për detyrë të ishin më të përgjegjshëm, kohë para se këtij fenomeni t’i hapeshin dyert nga indiferentizmi primitiv, paqartësia e hallakatur dhe padija e organizuar.

Ju bëjmë me dije se ditën e djeshme, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë duke vlerësuar situatën e paprecedentë të krijuar nga kjo epidemi, ka marrë disa masa të nevojshme për të mbrojtur qytetarët nga një infektim i mundshëm nga COVID-19.

Mbrëmjen e së mërkurës, më 11 mars 2020, Këshilli i Myftinisë Shkodër dhe imamët e qytetit, pasi diskutuan në prani të Myftiut të Shkodrës udhëzimin e ardhur nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, ishin të mendimit, që përkujdesja për ruajtjen e jetës është prioritet i padiskutueshëm, njësoj sikurse mbrojtja e fesë, mendimit, nderit dhe pronës.

Në këto kontekste, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka udhëzuar myftinitë e qyteteve për marrjen e masave të duhura, përballë këtij realiteti, sa vijon:

1- Ngarkohen të gjithë imamët për ndërmarrjen e fushatave sensibilizuese për publikun dhe këshillimin e të gjithë besimtarëve, për kryerjen e ritualeve fetare në banesat e tyre.

2- Anullimi i tubimeve masive si ligjërata, kurse në xhami, aktivitete të ndryshme kulturore e fetare, përfshirë edhe faljen e namazit të xhumasë, deri në një lajmërim të dytë.

3- Këshillohet kryerja e namazeve ditore në mënyrë jo të organizuar, ndërkohë ezani do të thirret në mënyrë të rregullt në të gjitha xhamitë e vendit.

4- Zbatimi me përpikmëri i të gjitha sugjerimeve dhe këshillave të nxjerra nga autoritetet përkatëse në vendin tonë si dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Kërkojmë mirëkuptimin e besimtarëve në respektimin e masave të marra, pasi mbrojtja e jetës dhe shëndetit është një obligim fetar për të gjithë besimtarët.

Lusim All-llahun e Madhëruar që kjo situatë të kalojë pa pasoja për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, sikurse ftojmë besimtarët për lutje, agjërime e sadeka, me shpresën e tejkalimit sa më shpejt të kësaj gjendjeje anormale.

Me lutje për ju!
Myftinia Shkodër